Të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias u sulmuan fizikisht gjatë raportimit të protestave në Shqipëri, nga 13 deri më 19 tetor, sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF). Shumica e incidenteve të dokumentuara përfshinin punonjës të policisë.
Në një deklaratë, RSF-ja dënoi dhunën ndaj gazetarëve dhe u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit, të zbatojnë masat ekzistuese për mbrojtjen e gazetarëve dhe të garantojnë që punonjësit e medias të mund të raportojnë pa u dhunuar apo penguar.
Sipas organizatës, gjatë kësaj periudhe u dokumentuan 28 raste dhune, frikësimi dhe përpjekjesh për të penguar raportimin, që prekën të paktën 23 profesionistë të medias. Në të paktën 10 episode u përdor forcë fizike, përfshirë goditje me grushte e shkelma, shtyrje dhe largim me forcë nga zonat ku gazetarët po kryenin detyrën.
Përveç sulmeve fizike, gazetarët raportuan marrjen e telefonave ose përpjekjet për t’ua marrë, fshirjen e pamjeve filmike, dëmtimin e pajisjeve të punës dhe lëndime të shkaktuara nga mjetet e përdorura nga policia për kontrollin e turmave.
Sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestave
Më 18 tetor, gjatë protestave në Tiranë, u raportuan disa incidente ndaj punonjësve të medias.
Fotoreporteri Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i Associated Press, u ndalua me forcë nga policia, ndërsa gazetari i News24, Renaldo Salianji, u godit fizikisht.
Gazetari i SYRI TV, Taulant Kopliku, deklaroi se një efektiv policie e kishte goditur në shpatull dhe i kishte marrë telefonin. Sipas tij, pajisja iu kthye me pamjet filmike të fshira.
Gazetari Marshi Korreshi u godit në shpinë me një helmetë dhe u shty teksa raportonte drejtpërdrejt për një zjarr pranë Komisariatit të Policisë nr. 3. Ndërkohë, Elkier Bushkolaj u plagos në këmbë nga një predhë gome, ndërsa Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani raportuan se ishin goditur nga efektivët e policisë.
Në rastet e raportuara përfshihet edhe gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, u godit me gurë në një incident që organizata ia atribuoi efektivëve të policisë.
Agjencia Reuters raportoi gjithashtu se dy prej gazetarëve të saj u goditën nga predha gome gjatë përleshjeve në Tiranë më 17 tetor.
Një tjetër incident ishte ai i Izmir Akullit, kryeredaktor i portalit Dosja.al, i cili u dërgua në spital pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij më 13 tetor, pranë Bankës së Shqipërisë. Sipas dëshmisë së publikuar prej tij, disa efektivë e goditën me grushte dhe shkelma ndërsa po filmonte ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.
Më 19 tetor, gazetari i News24, Osman Stafa, dhe punonjës të tjerë të medias u penguan nga policia të ndiqnin dhe filmonin shoqërimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë.
RSF: Gazetarët duhet të dokumentojnë veprimet e policisë
Drejtori i Byrosë së RSF-së në Pragë, Pavol Szalai, theksoi se gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë veprimet e policisë gjatë protestave pa u dhunuar ose penguar në ushtrimin e profesionit të tyre.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë sjelljen e policisë pa u rrahur, shtyrë, ndaluar ose penguar në ndonjë mënyrë tjetër nga filmimi”, deklaroi Szalai.
RSF-ja i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të ndalojë deklaratat që, sipas organizatës, kontribuojnë në frikësimin e medias për raportimin e protestave.
Më 18 tetor, Rama akuzoi pronarin e News24 se po fabrikonte rrëfime për revoltën studentore me synimin për të rrëzuar qeverinë. RSF-ja e konsideroi këtë një shembull të presionit ndaj medias në një periudhë të tensionuar politike dhe shoqërore.
Organizata kërkoi gjithashtu që Parlamenti shqiptar të shqyrtojë sjelljen e policisë gjatë protestave, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian të vlerësojë zbatimin në praktikë të angazhimeve të Shqipërisë për lirinë e medias, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Kërkohet zbatimi i udhëzuesit për sigurinë e gazetarëve
Sipas një deklarate të Rrjetit SafeJournalists, të publikuar më 18 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur shqyrtimin e pretendimeve për sjellje të pahijshme dhe shtatë efektivë ishin pezulluar. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse këto masa lidhen drejtpërdrejt me rastet e dhunës ndaj gazetarëve.
Më 14 tetor, organizata për lirinë e medias dhe organizata të shoqërisë civile, mes tyre edhe RSF-ja, kërkuan zbatimin e plotë të Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj 2025.
Organizatat kërkuan hetime të pavarura për rastet e dhunës dhe pengimit të raportimit, si dhe zhvillimin e një seance të posaçme dëgjimore në Parlament. Sipas RSF-së, edhe pas këtij apeli u raportuan incidente të tjera ndaj punonjësve të medias.
Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Marrë nga Shteg.org