Urbanisti, Gentian Kaprata në një intervistë në Syri Televizion u shpreh se tregu imobiliar në Shqipëri në mënyrë të veçantë në Tiranë, ka dalë prej kohësh nga çdo logjikë e një tregu normal që funksionon mbi bazën e ofertës dhe kërkesës.
Sipas tij, kjo situatë nuk është e re dhe është paralajmëruar që para më shumë se një dekade, kur në analizat dhe shkrimet e tij të hershme, ai ngriti shqetësimin se zhvillimi i këtij tregu po merrte përmasa të rrezikshme dhe të pamenaxhueshme.
Në deklaratën e tij, Kaprata thekson se ajo që po ndodh sot nuk është aspak befasi për ata që e kanë ndjekur me vëmendje lëvizjen e çmimeve të banesave dhe mënyrën se si është transformuar ky treg përmes spekulimeve të shumta.
Ai shton se, ndonëse pritej një krizë e madhe vite më parë, sektori ka mbijetuar në mënyrë artificiale përmes disa valëve spekulative, duke vonuar një përplasje të pashmangshme që, sipas tij, po afrohet me ritme të shpejta.
Në këtë kontekst, Kaprata sjell edhe argumente të natyrës shkencore dhe ekonomike, duke bërë krahasime me tregje të zhvilluara dhe duke iu referuar indikatorëve ndërkombëtarë si ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Marrë nga Syri.net