Çdo vit që kalon Shqipëria po shënon një rekord të ri sa i përket turizmit.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë për bilancin e pagesave bënë të ditur se shpenzimet e udhëtimit nga të huajt në Shqipëri arritën një nivel 4.99 miliardë euro, me një rritje prej 19.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas tremujorëve, fluksi më i lartë ishte në tremujorin e tretë, me 1.9 miliardë euro, që përkon me kulmin e sezonit turistik. Për herë të parë dhe gjatë tremujorit të dytë dhe të katërt flukset ishin mbi 1 miliard euro (1.16 dhe 1.13), duke treguar për një shtrirje të turizmit përtej sezonit tradicional.
Megjithatë, muajt e parë të këKtij viti po japin shenja për një ngadalësim të rritjes së turizmit në vend.
Edhe shqiptarët shpenzime rekord jashtë
Ndërsa të huajt po zbulojnë Shqipërinë, shqiptarët po udhëtojnë gjithnjë e më shumë jashtë, të nxitur dhe nga biletat e lira dhe shtimi i destinacioneve direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin 2.7 miliardë euro, me rritje prej 15.6% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në 2024-n, daljet e shqiptarëve jashtë arritën në gati 7.9 milionë me rritje 14% me bazë vjetore.
Bilanci pozitiv prej 2.3 miliardë eurosh
Ndryshe nga mëse një dekadë më parë, kur bilanci i turizmit ishte afër zeros, me të huajt në Shqipëri që shpenzonin gati sa shqiptarët jashtë, vitet e fundit situate është përmbysur, si rrjedhojë e fluksit të lartë të të huajve që po vijnë në vend. Në 2024-n, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv prej 2.3 miliardë eurosh, me rritje gati 25% me bazë vjetore.
Marrë nga Monitor