Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan të dielën se synojnë të marrin kontrollin e rreth 75 për qind të territorit të Rripit të Gazës brenda dy muajve të ardhshëm, si pjesë e një ofensive të re kundër grupit militant palestinez Hamas.
Më 18 mars, Izraeli rifilloi operacionet ushtarake kundër Hamasit me një valë të papritur sulmesh ajrore, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor. Që prej asaj kohe, IDF ka vendosur pesë divizione në Gaza – një forcë që përfshin dhjetëra mijëra ushtarë – dhe është gati të nisë një ofensivë të gjerë tokësore. Objektivi kryesor i operacionit është shkatërrimi i krahut ushtarak dhe strukturës politike të Hamasit, nëse ky i fundit nuk pranon të lirojë pengjet që mban ende në kontroll.
Sipas gazetës Times of Israel, kur të fillojë ofensiva e madhe toksore, popullsia palastineze do të shtyhet prapa në tre zona të vogla në Gaza : një “zonë e sigurt” e re në zonën Maëasi në bregdetin jugor të Rripit, ku Izraeli më parë shpalli një “zonë humanitare”; një rrip toke në Deir al-Balah dhe Nuseirat të Gazës qendrore, ku IDF nuk ka vepruar me forca tokësore; dhe qendra e Qytetit të Gazës, në të cilin shumë palestinezë u kthyen gjatë armëpushimit në fillim të këtij viti.
Forcat e armatosura izraelite zbuluan se sulmi i tyre i ripërtërirë në Rripin e Gazës nuk synon më të luftojë Hamasin, por të pushtojë territorin, të kontrollojë shpërndarjen e ushqimit dhe të shkatërrojë infrastrukturën e Hamasit, sipas mediave lokale.
Aktualisht, ushtria izraelite ka marrë kontrollin e rreth 40 për qind të Rripit të Gazës. Ndërkohë, Izraeli po përballet me kritika të forta nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të bllokadës së ndihmës humanitare në enklavë, që prej fillimit të marsit, si dhe për rrezikun e përshkallëzimit të krizës humanitare, me paralajmërime për uri masive në rajon.
Gjithashtu po ndjek një plan të ri të mbështetur nga SHBA-të për të mbikëqyrur ndihmën për Gazën, por amerikani që drejtoi përpjekjet dha dorëheqjen papritur të dielën, duke thënë se ishte bërë e qartë se organizata e tij nuk mund të vepronte në mënyrë të pavarur.
Marre nga Times of Israel