“Jemi këtu si patriotë për të mbrojtur të drejtën tonë dhe vendin tonë”, theksuan pjesëmarrësit e demonstratës masive të shtunën (23.05.2026) në mbrëmje në Beograd. Thirrjen për protestë e kishin bërë grupet studentore në Serbi.
Policia njoftoi për më shumë se 34.000 pjesëmarrës që u mblodhën në qendër të qytetit. Vrojtuesit, nga ana tjetër, e vlerësuan numrin në rreth 100.000.
Demonstruesit ankohen edhe për korrupsionin e vazhdueshëm në vend. Gjatë protestës në Beograd, kritikët e qeverisë tërhoqën vëmendjen me daulle dhe bilbila. Ata kishin ardhur nga gjithë Serbia. Folësit kërkuan fundin e sundimit tëpresidentit Aleksandar Vuçiç, i cili është në pushtet që nga viti 2017, si dhe zgjedhje të parakohshme. Sipas planit, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin vetëm në fund të vitit 2027.
“Duart tuaja janë të përgjakura”
“Zgjedhjet janë mundësia jonë për të përmbushur më në fund premtimin tonë – një qeveri të ndershme, liri dhe një jetë dinjitoze”, tha një student i elektroteknikës sipas agjencisë së pavarur të lajmeve BETA. Shumë protestues mbanin shenja me duar të kuqe dhe mbishkrimin “Duart tuaja janë të përgjakura”.
Në fund të tubimit pati përplasje mes personave të maskuar dhe forcave të sigurisë. Incidentet ndodhën rreth një kilometër larg sheshit Slavija, qendra e protestës. Koshat e plehrave u dogjën, ndërsa policia u sulmua me fishekzjarre. Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Forcat e sigurisë të pajisura për ndërhyrje bllokuan hyrjen drejt bashkisë.
Forcat speciale të policisë ishin në veprim. Ministria e Brendshme njoftoi për 23 arrestime. Një numër i pacaktuar policësh u plagosën. Protestat në Serbi kundër qeverisë dhe korrupsionit në vend kanë filluar rreth një vit e gjysmë më parë. Shkaku ishte shembja e çatisë së hyrjes së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Kreu i shtetit Vuçiç deklaroi në rrjetet sociale në lidhje me protestuesit: “Si shumë herë më parë, ata treguan natyrën e tyre të dhunshme.” Në të kaluarën, në protesta të ngjashme masive – siç u mësua më vonë – provokatorë të infiltruar kishin kryer akte të ngjashme dhune.
Trafiku hekurudhor i pezulluar më parë
Si edhe herë të tjera, para protestës masive u ndërpre trafiku hekurudhor në të gjithë vendin. Zyrtarisht, Hekurudhat e Serbisë nuk dhanë arsye për këtë. Me sa duket, kjo u bë për ta vështirësuar pjesëmarrjen e kundërshtarëve të qeverisë nga jashtë Beogradit në demonstratë.
Marrë nga AFP