Katër vatra të antraksit, ose “plasjes”, janë konfirmuar te bagëtitë në qarkun e Gjirokastrës gjatë muajit korrik. Autoritetet veterinare thonë se kanë marrë masat për izolimin e vatrave, vaksinimin e kafshëve dhe dezinfektimin e zonave të prekura.
Sipas AKVMB-së, rasti i parë u evidentua më 30 qershor, pas ngordhjes së menjëhershme të një kafshe. Shenjat klinike ngritën dyshimin për antraks, ndërsa konfirmimi laboratorik erdhi më 3 korrik.
Më pas u konfirmuan edhe tre raste të tjera, më 21, 23 dhe 24 korrik. Pra, brenda pak javësh, numri i rasteve të konfirmuara laboratorikisht shkoi në katër.
Në përgjigjen e saj, AKVMB thotë se për të gjitha rastet janë zbatuar masat e përcaktuara në legjislacionin veterinar, përfshirë ndalimin e lëvizjes së kafshëve të ndjeshme dhe vaksinimin.
Por sa kafshë dhe ferma janë vaksinuar? Sa janë konsideruar në risk? Dhe a janë kryer kontrolle të posaçme mbi produktet me origjinë shtazore që mund të kenë dalë nga zonat e prekura?
Këto të dhëna nuk bëhen të ditura në përgjigjen zyrtare dhe duke lënë disa pyetje pa përgjigje.
Për shëndetin e njerëzve, AKVMB thotë se deri tani nuk ka informacion për raste të personave të prekur nga antraksi në këtë zonë.
“Nuk kemi asnjë informacion për raste në njerëz të prekur nga kjo sëmundje në këtë zonë”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, autoriteti nuk sqaron nëse janë kryer kontrolle të posaçme te personat që kanë pasur kontakt me kafshët e prekura, apo nëse është monitoruar në mënyrë specifike zinxhiri ushqimor nga zonat ku janë identifikuar vatrat.
Kjo nuk do të thotë se ushqimet në treg janë të rrezikshme. Por, kur një autoritet konfirmon katër vatra të një sëmundjeje infektive te bagëtitë, konsumatori ka të drejtë të dijë se sa të gjera kanë qenë kontrollet dhe çfarë është bërë për të garantuar sigurinë e produkteve që përfundojnë në tryezën e shqiptarëve.
AKVMB shton në fund të pe7rgjigjes se masat janë marrë për minimizimin e rrezikut për shëndetin public, por natyrshëm lind pyetja se sa të sigurt jemi për ushqimin që konsumojmë në tryezat tona?
Marrë nga Boldnews.al