Në një postim në Facebook, Kryeministri Edi Rama tha se mes aplikantëve kishte të të rinj të sapodiplomuar, por edhe organizata mediatike e studio të dizajnit grafik.
“Plot 245 aplikime nga ekselentë të sapodiplomuar, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike, studio dizajni grafik, dhe të tjerë akoma,” shkroi Rama.
“Kanë ardhur ide për ta bërë më të thjeshtë gjuhën e shtetit, më të kuptueshëm informacionin për qytetarët, më sistematike videot informatike, më prezente inteligjencën artificiale dhe më kreativ në formate rrjetin MIA,” shtoi ai.
Prej më shumë se dy muajsh, Shqipëria është përfshirë nga një protestë maratonë kundër qeverisë, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës se si qeveria administron pronën dhe pasuritë publike.
Protestat kanë sfiduar imazhin e kultivuar nga qeveria brenda dhe jashtë vendit si promotore e zhvillimit turistik dhe investimeve të huaja, duke e zhvendosur debatin publik te lidhjet mes pushtetit dhe investitorëve ‘strategjikë’, mungesa e transparencës dhe akuzat për favorizimin e interesave të biznesit në kurriz të pronës dhe interesit pu
Rama e shoqëroi njoftimin për numrin e aplikimeve me ironi ndaj kritikëve të qeverisë dhe medias që e kanë cilësuar Agjencinë për Media dhe Informim si një mekanizëm propagande dhe centralizimi të informacionit qeveritar.
“Dhe këtu lind pyetja e madhe: Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me ‘agjencinë e propagandës së regjimit’?” pyeti Rama.
“Ose ‘regjimi’ e ka harruar fare zanatin e terrorit, ose propaganda e ‘regjimit’ ka dështuar ose pastaj përralla e ‘regjimit’ nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë,” përfundoi ai.
Marrë nga BIRN