Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos ka lëshuar një mesazh të pazakontë në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë vendosi të rrëzonte kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Nga Strasburgu, ajo u është drejtuar me një mesazh të drejtpërdrejtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë anëtarësim sa më të shpejt në Bashkimin Europian.
Marta Kos thekson se vendet që i bashkohen BE-së, duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, ndaj sipas saj, ato shtete që konsiderohen se nuk i përmbushin këto kushte dhe minojnë nga brenda unionin, nuk do të mund të bëhen anëtare.
“Asnjë kalë Troje. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen shtete anëtare. Duhet të sigurohemi plotësisht për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve.
Natyrisht, nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në reforma. Qytetarët tanë europianë e presin këtë nga ne, nga unë dhe nga ekipi im”, shprehet komisionerja Marta Kos, në një video të ndarë në platformën “X”.
Marrë nga Newsbomb.al