Gjashtë persona me shtetësi shqiptare dhe rumune kanë përfunduar në prangat e policisë belge, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Belgjika drejt Britanisë së Madhe.
Sipas Prokurorisë së Antverpit, të arrestuarit janë meshkuj të moshave nga 25 deri në 38 vjeç. Autoritetet i ndaluan gjatë kontrolleve në Jette, Hoboken, Grimbergen dhe Ninove, ndërsa operacioni përfshiu edhe bashkëpunimin me policinë spanjolle dhe Europol.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Antverpit, Kristof Aerts, deklaroi se hetimet nisën në mesin e vitit 2026, pasi policia mori informacione për veprimtarinë e një organizate kriminale që dyshohej se përdorte portin e Antverpit për futjen e kokainës në territorin belg.
Sipas hetuesve, anëtarët e grupit e transportonin drogën nga porti drejt apartamenteve që merrnin me qira për periudha të shkurtra në Antverp dhe zonat përreth, përmes platformave të rezervimit në internet.
Në këto apartamente, të dyshuarit e ripaketonin kokainën dhe e përgatisnin për transportin drejt Britanisë së Madhe.
21 transporte droge, 773 kilogramë kokainë dhe 40 kilogramë heroinë të sekuestruara
Gjatë hetimeve, policia arriti të identifikonte rreth 21 transporte të dyshuara të organizatës kriminale. Autoritetet franceze dhe britanike ndërhynë në gjashtë prej këtyre transporteve, duke sekuestruar gjithsej 773 kilogramë kokainë dhe 40 kilogramë heroinë. Një nga goditjet më të rëndësishme ndodhi më 13 korrik 2026, kur dogana franceze ndaloi një kamion që udhëtonte drejt qytetit Leeds, në Britaninë e Madhe. Gjatë kontrollit, autoritetet franceze zbuluan 215 kilogramë kokainë.
Sipas Prokurorisë belge, organizata mund të ketë siguruar rreth 25 milionë euro të ardhura të paligjshme nga transportet e drogës.
Kontrolle në Belgjikë, gjenden 21 blloqe kokaine dhe dokumente false
Me urdhër të gjyqtarit hetues, Policia Federale Gjyqësore e Antverpit, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe Europol, zhvilloi të martën shtatë kontrolle. Katër prej tyre u kryen në territorin belg, konkretisht në Hoboken, Grimbergen, Jette dhe Ninove. Gjatë operacionit, policia arrestoi gjashtë persona me shtetësi shqiptare dhe rumune, të moshave nga 25 deri në 38 vjeç.Autoritetet nuk kanë publikuar identitetet e të arrestuarve dhe as numrin e saktë të shtetasve shqiptarë të përfshirë në grup. Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan edhe 21 blloqe kokaine, materiale për paketimin e lëndëve narkotike, një makineri për numërimin e parave, një dozë kanabisi të përgatitur për shitje, si dhe pajisje që shërbenin për ngritjen e një plantacioni kanabisi. Policia gjeti gjithashtu dokumente të falsifikuara identiteti dhe një shumë parash të gatshme, vlerën e së cilës autoritetet nuk e kanë bërë publike. Gjyqtari hetues do të vendosë në fazën e ardhshme për masat e sigurisë ndaj gjashtë të arrestuarve.
Prokuroritë e Antverpit dhe Flandrës Lindore, së bashku me Policinë Federale Gjyqësore të Antverpit, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet portuale dhe operatorët e terminaleve për identifikimin e organizatave që përdorin portin për trafikimin e drogës.
Autoritetet belge u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione për aktivitete të ngjashme të raportojnë në mënyrë anonime përmes platformës “Onze haven drugsvrij”, ndërsa për forma të tjera kriminaliteti mund të përdorin platformën Portwatch.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjithë aktivitetin e organizatës dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të arrestuar.
Marrë nga PZC.nl