Një raport i publikuar së fundmi nga Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania) mbi rolin e policisë në drejtësinë mjedisore në vend evidenton mangësitë kryesore dhe shkaqet që ndikojnë në shkallën e ulët të identifikimit të krimeve mjedisore dhe ndëshkuëshmërisë së tyre në vendin tonë.
Raporti i publikuar në kuadër të projektit “Drejtësia Mjedisore në Shqipëri”, analizon qasjen e Policisë së Shtetit ndaj krimeve mjedisore përgjatë periudhës 2019-2024, duke u fokusuar në rastet e trajtuara në qarqet e Tiranës, Elbasanit dhe Korçës, me 30 deri në 90 raste të monitoruara.
Edhe pse Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë përfshin 19 vepra penale kundër mjedisit, të tilla si ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës, menaxhimi dhe transporti i paligjshëm i mbetjeve, prerja e paligjshme e pyjeve, trajtimi i lëndëve radioktative, vepra të ndryshme penale ndaj kafshëve, dhe të tjera, raporti evidenton se numri i krimeve të trajtuara nga Policia e Shtetit dhe i dënimeve përkatëse lidhur me to është tepër i ulët.
“Ka një përqindje të lartë zbulimi të rasteve (shpesh 90-100%), por me shumë pak arrestime dhe kryesisht procedime në gjendje të lirë”, citojnë gjetjet e raportit, ku evidentohen si më problematike veprat e prerjes se paligjshme të pyjeve, ndotja mjedisore, dhe ndërtimet e paligjshme në zonat e mbrojtura.
“Një diagnostikim specifik i kapaciteteve ekzistuese tregon se Policia e Shtetit ende nuk disponon personel të specializuar ekskluzivisht për krimet mjedisore”, citojnë gjetjet e raportit.
“Vetë policët e intervistuar e konsiderojnë të pamjaftueshëm stafin aktual për të përballuar siç duhet parandalimin dhe hetimin e krimeve mjedisore, veçanërisht në zonat rurale apo zona me risk të lartë mjedisor”, theksojnë më tej gjetjet.
Policia e Shtetit krijoi për herë të parë Njësinë e Posaçme për Hetimin e Krimit Mjedisor vetëm në vitin 2024, një njësi e cila aktualisht përbëhet vetëm prej dy specialistëve të profilizuar, me qëllimin për t’u zgjeruar në 12 qarqet e vendit.
Nga ana tjetër, policia nuk ka kapacitetet teknike të duhura për të kryer analiza laboratorike të thelluara lidhur me mbledhjen e provave në terren mbi shkeljet mjedisore.
“Intervistat me oficerë në terren evidentuan se mungesa e pajisjeve të posaçme dhe ekspertizës teknike e bën të vështirë për të provuar veprat penale mjedisore, sidomos kur këto kërkojnë analiza te specializuara laboratorike”, shkruhet në raport mbi anketimin me oficerët e policisë, duke nxjerrë në pah vështirësitë me sigurimin e elementit të provës.
Si rrjedhojë, mungesa e specializimit dhe kapaciteteve teknike sjell edhe uljen e shkallës së veprave penale mjedisore të identifikuara si të tilla dhe të ndjekura më tej nga organet ligjvënëse.
“Mungesa e provave teknike, bën që prokuroria të mos ketë mjaftueshëm prova për të ndërtuar një kallëzim penal të qëndrueshëm”, thekson raporti.
Nga ana tjetër, vrojtimet nxjerrin në pah se sanksionet e dhëna për krimet mjedisore të identifikuara nuk mjaftojnë si precedent në parandalimin e mëtejshëm të këtyre shkeljeve.
“Statistikisht, dënimet e dhëna për krimet mjedisore janë kryesisht gjoba ose burgime minimale, që rrallë ndikojnë në parandalimin e tyre”, citon monitorimi.
Mungesa e protokolleve të veçanta hetimore brenda Policisë së Shtetit për krimet mjedisore është një tjetër faktor që ndikon në shkallën e ulët të ndëshkueshmërisë.
Praktika tregon se ekziston një tendencë për t’i trajtuar shumë krime mjedisore si kundërvajtje administrative, pa i kaluar fare në sistemin penal për shkak të mungesës së përllogaritjes së dëmit mjedisor.
“Në Korçë në vitin 2023 rezultojnë 92 raste të veprave penale mjedisore, por vetëm 1 arrestim. Kjo tregon për një sistem që funksionon në letër, por jo në realitet”, citojnë gjetjet.
Një faktor që ndikon në shkallën e ulët të ndëshkueshmërisë është edhe presioni ndaj policisë nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë apo ato me pushtet.
“Kur policia ndërhyn, shpesh ndeshet me presione, kërcënime ose ndërhyrje nga aktorë lokalë, gjë që ndikon negativisht në sigurinë dhe moralin e punonjësve të policisë,” vërejnë gjetjet.
Përveç identifikimeve që vijnë nga vetë policia, edhe numri i raportimeve të ardhura nga qytetarët apo aktivistët mjedisorë mbetet i ulët.
“Shoqëria civile nuk ka sjellë asnjë kallëzim penal të dokumentuar, ndërsa qytetarët shpesh i perceptojnë dëmtimet mjedisore si çështje dytësore, derisa efekti i tyre bëhet drejtpërsëdrejti i dukshëm në jetën e tyre”, tregojnë të dhënat e raportit.
Marrë nga Report.al