Rindërtimi i dëmeve të tërmetit është kthyer në një sagë të vërtetë, për të mos thënë aferë e rëndë kriminale, ku disa drejtues institucionesh po veprojnë hapur, duke i dhënë firmave të preferuar miliona euro, pa iu dridhur aspak qerpiku apo të kenë frikë Prokurorinë e Posaçme. Rasti më flagrant vjen nga Durrësi, ku kryetarja e kësaj bashkie, Emiriana Sako, s’do që t’ia dijë për askënd, as për raportet e KLSH-së, për kallëzimet në SPAK, apo institucionet ligjzbatuese lokale, teksa vazhdon t’i lidhë kontrata me shumë zero firmës “Rajli”.
Në fakt, në këtë aferë, janë të përfshira jo 1 por plot 3 gra, të cilat kanë krijuar një trinom të frikshëm për të zhvatur pasurinë publike, kjo me justifikimin e rindërtimit pas një fatkeqësie tepër vrastare, por që deri më tani ka rezultuar fitimprurëse për të gjithë aktorët e përfshirë. Vox News ka raportuar në vijimësi për një “dashuri” mes Sakos dhe firmës “Rajli”, kompani e cila ka si pronare dy gra të tjera, Enkeleda Gojashin dhe Lediana Matën.
Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe edhe në tenderin apo procedurën e radhës, që është finalizuar në fund të muajit mars 2026, teksa ka dyshime se kriteret e vendosura nga Sako i përshtaten plotësisht Enkeledës dhe Ledianës. Vetë kryetarja ka vënë firmën mbi dokument, duke lidhur kontratën, pavarësisht se oferta e firmës “Rajli” nuk ka qenë me e ulta në këtë procedurë. Një tjetër dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme apo për Byronë Kombëtare të Hetimit, pasi mjaftojnë që të gjurmojnë milionat për të gjetur se kush i përfiton.
Vox News ka hulumtuar dokumente të reja të dala nga Bashkia e Durrësit, të cilat kanë si objekt “rikonstruksion i objekteve të njësive administrative numër 1 dhe numër 4, në Sukth dhe Rrashbull”. Fondi limit i kësaj procedure ka qenë 37.681.160 lekë pa TVSH, teksa afati për ekzekutimin e kontratës është 140 ditë.
Kontrata është lidhur në datë 2 mars 2026, ndërkohë që publikimi është bërë në fund të muajit të kaluar. Emri, siç e përshkruam më sipër, është tepër i njohur për Sakon apo vartësit e saj, “Rajli”, kompani e cila mjafton t’a ketë emrin në dokumente dhe të gjithë vihen “në radhë” për t’i dhënë vlerat e akorduara.
Vox News ka denoncuar edhe në të kaluarën “dashurinë” e Sakos me firmën “Rajli”, të cilës i ka dhënë miliona euro për rindërtimin. Favorizimet e Sakos në drejtim të kësaj firme janë denoncuar publikisht edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Bashkia e Durrësit i ka dhënë një tjetër tender kësaj firme, madje me vlerë 99 % të fondit limit. Kjo firmë ka qenë e vetme në garë, duke lënë vetëm disa qindarka nga i gjithë fondi. Ka dyshime se kjo kompani është në ‘pronësi’ të vetë Sakos, duke nisur nga lehtësia me të cilët i fton procedurat në këtë bashki dhe se si kryetarja firmos milionat e eurove” do të denonconte redaksia jonë në fund të vitit 2024.
Në atë kohë, kjo kompani u shpall fituese nga Bashkia e Durrësit për tenderin me objekt “riaftësim strukturor i pallatit nr.1047 (ARVI), Rruga Taulantia” me fond limit 74 milionë lekë. “Në tender ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘Rajli Ndërtim’ dhe ‘Sireta 2F’ me një vlerë 73.984.248” thuhet në këto dokumente, teksa ka lënë “rrugës” vetëm 95.519 lekë, as 1 mijë euro!
Vox News ka mësuar se procedurat e tenderëve të rindërtimit nga Bashkia e Durrësit kanë kaluar edhe në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka dalë me një konkluzion se kryetarja Emirajana Sako “prokuroi dhjetëra miliona euro në shkelje të ligjit tek një grusht kompanish gjysmë fiktive”.
Në datën 3 shkurt të vitit 2022, Bashkia e Durrësit zhvilloi një tender me vlerë 2.1 milionë euro për lulishtet e disa pallateve në Rrashbull. Fitues u shpallën “Rajli Ndërtim” dhe “G.P.G Company”, teksa KLSH shkruan se dhënia e kontratës ishte në shkelje të ligjit, për shkak se “Rajli Ndërtim“ nuk plotësonte kriteret dhe kompanitë nuk kishin përcaktuar përqindjet në marrëveshjen e bashkëpunimit.
Mësohet se “Rajli Ndërtim” nga viti 2019 deri në ditët e sotmeka marrë dhjetëra miliona nga Bashkia e Durrësit, ndërkohë që të gjitha procedurat kanë qenë “të mbyllura”. Bashkia u justifikua me gjendjen e tërmetit, por këto kompani vijuan të marrin para’, teksa në total morën mbi 25 milionë euro.
Vox News ka shfletuar dokumente të tjera, tenderët e shpallur apo edhe bilance në QKB, ku rezulton se megjithëse firma përfitoi pjesën e “luanit” në tenderat e Bashkisë së Durrësit, sërish bilancet janë të vogla. Në qershor të vitit 2025, dy aksionerët e firmës, Gojashi dhe Mata, dorëzuan bilancin e vitit 2024, ku në atë vit ato deklaruan një fitim prej 32,921,323 lekë, fitim i cili kaloi për divident, pra u nda.
Dyshimet e tjera janë se paratë e rindërtimit shpërndahen në disa kompani të tjera, satelite, me lidhje të afërta me disa eksponentë të mazhorancës apo edhe të vetë kryetares së Bashkisë së Durrësit. Janë fryrë kostot e punimeve, apo të materialeve, vetëm e vetëm që të “kënaqen” të gjithë.
Ndërkohë, në vitin 2024 e njëjta kompani ka publikuar bilancin e ’23-shit, ku rezulton se në atë vit ajo deklaroi një fitim prej 30 milionë lekësh, i cili kaloi për investime. Pra, në harkun kohor të 24 muajve, kjo kompani që ka xhiruar në ato vite dhjetëra miliona euro, deklaroi fitime minimale. Dyshimet e sipërpërmendura janë në fakt një dosje për SPAK-un, për pabarazi në tendera, pastrim parash apo edhe organizatë kriminale.
Marrë nga VoxNews.al