Protesta kundër qeverisë vijon edhe këtë të mërkurë, duke shënuar ditën e 165-të të mobilizimit qytetar.
Për ditën e sotme ishte paralajmëruar një protestë kombëtare, e cila pritej të mblidhte studentë dhe qytetarë nga Tirana, si dhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Tubimi nisi në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ku pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, protestuesit pritet të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të zhvillohet pjesa tjetër e tubimit.
Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur grumbullimin, në pritje për tu bashkuar me grupimet e tjera të studentëve. Kërkesa e tyre vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në Dublin, ku dhe atje është pritur me protestë nga emigratët shqiptarë.
Studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë e “Politeknikut” kanë braktisur mësimin dhe i janë bashkuar revoltës studentore. Nën thirrjet “Dorëheqje”, ata kanë nisur marshimin për tu bashkuar me studentët e fakultetve të tjera.
Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, duke kërkuar përgjegjësi dhe reagim ndaj situatës.
Marrë nga Dosja.al