Nxënës të gjimnazit “Sulejman Delvina” kanë protestuar sot përpara ambienteve të Komisariatit të Policisë në Delvinë, pas një incidenti të rëndë të ndodhur në shkollën e tyre.
Sipas nxënësve, situata problematike në shkollë është denoncuar disa herë më parë në drejtori, por pa u marrë masa konkrete për ta parandaluar përshkallëzimin e saj. Edhe pse është pranuar se një nga nxënësit kishte sjellje problematike, ata thonë se nuk është ndërhyrë në kohë për të shmangur incidentin.
Ngjarja ka nisur brenda ambienteve të shkollës dhe më pas është agravuar pasi nxënësit janë larguar nga mjediset e saj.
Sipas dëshmive të nxënësve, prindërit nuk janë njoftuar për incidentin dhe nxënësi i përfshirë është lejuar të largohet nga shkolla para përfundimit të orarit mësimor. Ata pretendojnë se kjo situatë është përsëritur edhe herë të tjera, duke krijuar ndjenjë pasigurie mes nxënësve.
Ata kërkojnë që institucionet përkatëse të hetojnë ngjarjen dhe të marrin masa konkrete për të garantuar sigurinë e nxënësve, duke theksuar se shpërfillja e situatave problematike nuk i zgjidh ato, por përkundrazi mund të çojë në pasoja edhe më të rënda.
Marrë nga Boldnews.al