KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Të rinjtë shqiptarë, të fundit në Europë për të ardhurat sipas fuqisë blerëse
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Të rinjtë shqiptarë, të fundit në Europë për të ardhurat sipas fuqisë blerëse
AnalizeFinanceKryesoreSocialeZhvillim

Të rinjtë shqiptarë, të fundit në Europë për të ardhurat sipas fuqisë blerëse

Përditësimi i fundit: 27 Tetor, 2026 9:39 am
39 Shikime
Share
8 Min. Leximi
SHARE

Të rinjtë shqiptarë janë ndër më të varfrit në Europë për sa u përket të ardhurave të familjeve ku jetojnë dhe më të varfrit nëse llogariten të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, të analizuara nga Euronews, të ardhurat mediane vjetore të disponueshme të familjeve të të rinjve të moshës 18–24 vjeç në Shqipëri arrijnë në vetëm 5,736 euro, niveli i dytë më i ulët ndër 34 vendet europiane të përfshira në krahasim.

Vetëm Maqedonia e Veriut renditet më poshtë, me 4,640 euro, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 21,482 euro. kur treguesi krahasohet me fuqinë blerëse, Shqipëria renditet e fundit (me 8,175 PPS), duke e lënë pas Maqedoninë e Veriut për shkak të çmimeve më të shtrenjta, ku ato të ushqimeve janë 3% më lart se mesatarja e BE=së.

Analiza e Euronews vjen në një periudhë kur protestat e të rinjve janë përhapur në disa vende europiane, veçanërisht në Francë, të nxitura nga rritja e kostos së jetesës, vështirësitë për të siguruar banesë, pagat e ulëta dhe problemet me shërbimet publike.

Edhe Shqipëria është përfshirë gjatë javëve të fundit nga protesta të studentëve dhe të rinjve, të cilët kanë ngritur shqetësime për kushtet e arsimit, mungesën e vendeve të punës, koston e jetesës dhe korrupsionin.

Një pjesë e protestave janë shndërruar në demonstrata më të gjera kundër qeverisë. Këto zhvillime e bëjnë edhe më domethënës krahasimin e të ardhurave të të rinjve shqiptarë me ato të bashkëmoshatarëve europianë.

Sipas Euronews, protestat e fundit në Europë kanë rikthyer vëmendjen te gjendja ekonomike e brezit të ri. Eksperti i së drejtës europiane Alberto Alemanno thekson se protestat nuk mund të trajtohen thjesht si një revoltë e adoleshentëve, pasi ato përfshijnë shqetësime dhe kërkesa të ndryshme ekonomike e shoqërore.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në fund të renditjes

Treguesi i përdorur në analizë është e ardhura mediane e disponueshme e ekuivalentuar, që përfaqëson të ardhurat e një familjeje pas tatimeve dhe zbritjeve të tjera, të përshtatura sipas numrit dhe përbërjes së anëtarëve të saj. Në këtë tregues përfshihen edhe përfitimet sociale.

Të dhënat nuk tregojnë se sa fitojnë personalisht të rinjtë, por nivelin e të ardhurave të familjeve ku ata jetojnë.

Zvicra kryeson renditjen europiane, me të ardhura mediane prej 52,206 eurosh në vit për familjet e të rinjve 18–24 vjeç. Ajo ndiqet nga Luksemburgu me 43,028 euro dhe Austria me 37,299 euro.

Ndër ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian, Gjermania regjistron nivelin më të lartë, me 26,330 euro. Italia, me 20,315 euro, dhe Spanja, me 19,338 euro, mbeten nën mesataren e BE-së.

Franca, ku protestat e studentëve dhe të rinjve kanë qenë ndër më të dukshmet, renditet e 11-ta ndër 34 vendet e analizuara, me të ardhura mediane prej 23,850 eurosh, mbi mesataren europiane.

Në fund të renditjes janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Turqia, përkatësisht me 4,640, 5,736 dhe 5,987 euro në vit.

Nën gjysmën e mesatares europiane renditen edhe Bullgaria, me 8,680 euro, Hungaria me 8,576 euro, Serbia me 7,754 euro dhe Rumania me 7,237 euro.

Të ardhurat nuk tregojnë të gjithë realitetin

Ekspertët paralajmërojnë se të ardhurat e familjeve nuk japin domosdoshmërisht një panoramë të plotë të gjendjes ekonomike të të rinjve.

Anne Brunner, drejtuese e studimeve në Observatoire des inégalités në Francë, shpjegon se grupmosha 18–24 vjeç përfshin kategori të ndryshme, nga studentët që jetojnë me prindërit deri te të rinjtë që kanë hyrë në tregun e punës, shpesh me kualifikime të kufizuara dhe në kushte punësimi të pasigurta.

Në rastin e Francës, treguesi nuk përfshin studentët që jetojnë në banesa kolektive, si konviktet universitare.

Edhe Forumi Europian i Rinisë vëren se të ardhurat mund të krijojnë një perceptim të gabuar të mirëqenies. Në disa vende, të rinjtë rezultojnë statistikisht më mirë sepse vazhdojnë të jetojnë me prindërit dhe përfitojnë nga të ardhurat e përbashkëta familjare.

Por kjo mund të fshehë vështirësinë e tyre për të siguruar një banesë, për të përballuar qiranë apo për të ndërtuar një jetë të pavarur.

Të rinjtë kanë të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e popullsisë

Sipas analizës së Euronews, në 28 nga 34 vendet e përfshira, të rinjtë jetojnë në familje me të ardhura mediane më të ulëta se ato të popullsisë në tërësi.

Në Bashkimin Europian, të ardhurat e familjeve të të rinjve përfaqësojnë mesatarisht 93.6% të nivelit të të ardhurave mediane të gjithë popullsisë, përkatësisht 21,482 euro kundrejt 22,939 eurove.

Në Francë, raporti është 90.1%, me një diferencë prej 2,609 eurosh në vit.

Finlanda regjistron hendekun më të madh. Familjet e të rinjve kanë të ardhura mediane prej 22,277 eurosh, kundrejt 29,740 eurove për gjithë popullsinë, ose vetëm 74.9% të nivelit kombëtar.

Pas saj renditen Danimarka, me 78.3%, Norvegjia me 82.7%, Luksemburgu me 86% dhe Suedia me 88.2%.

Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo diferencë në vendet nordike lidhet pjesërisht me faktin se të rinjtë largohen më herët nga banesa e prindërve. Të ardhurat e tyre maten më shpesh në mënyrë të pavarur, duke krijuar një hendek më të madh statistikor me mesataren kombëtare.

Në gjashtë vende europiane, të rinjtë rezultojnë me të ardhura familjare më të larta se mediana e popullsisë. Kroacia kryeson me 105.7%, e ndjekur nga Malta me 105.5% dhe Sllovenia me 105.4%. Lituania dhe Austria arrijnë në 102.1%, ndërsa Zvicra në 100.5%.

Shqipëria e fundit kur të ardhurat maten sipas fuqisë blerëse

Diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve ndryshojnë krahasimin. Kur të ardhurat maten sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), që merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve, renditja pëson ndryshime.

Austria kalon në krye, me 33,052 PPS, e ndjekur nga Luksemburgu me 32,391 dhe Zvicra me 29,989.

Franca renditet e 13-ta, me 21,446 PPS, pak mbi mesataren e Bashkimit Europian. Gjermania ka 24,237 PPS, Spanja 21,272 dhe Italia 20,883.

Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e përmendura në këtë krahasim, me 8,175 PPS, pas Maqedonisë së Veriut me 8,994 dhe Malit të Zi me 9,955 PPS.

Kjo tregon se edhe pasi merren parasysh diferencat në nivelin e çmimeve, fuqia blerëse e familjeve të të rinjve shqiptarë mbetet ndër më të ulëtat në Europë.

Forumi Europian i Rinisë thekson se vlerësimi i mirëqenies së të rinjve duhet të shkojë përtej të ardhurave monetare. Përballueshmëria e banesave, cilësia e shërbimeve publike, arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale përcaktojnë në një masë të madhe se çfarë niveli jetese mund të sigurojë një familje me të ardhurat që disponon.

 

Marrë nga Monitor

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Ishte në kërkim për shpërdorim detyre, ndalohet ish-juristi i ASHK-së

Era që nuk ndalet më!

Çfarë mësimesh duhet të nxjerrin autokratët e tjerë të rajonit, pas humbjes së Vuçiç?

Dosja e krimit mjedisor të Albchrome, pasoja fatale mbi shëndetin e popullatës

Efekti domino nga Serbia në Shqipëri; mes shpresës dhe sfidave politike

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Fshati i vetëm shqiptar në Bullgari, që ruan gjuhën prej gati 400 vjetësh, ka vetëm 34 banorë
Artikulli tjetër Rama: “Ne nuk mbajmë përgjegjësi për dhunën policore gjatë protestave”

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Pas largimit të Vuçiçit nga pushteti, televizioni shtetëror serb kërkon falje
Aktuale Analize Koment Rajoni Sociale 27 Tetor, 2026
Spektakël shqiptar në SuperLigën turke, Muçi dhuron 3 asiste dhe Laçi shënon
Aktuale Analize Sociale Sporti 27 Tetor, 2026
Derbi i Stambollit shpërthen në dhunë masive, pas bilbilit të fundit
Aktuale Analize Fokus Sociale Sporti 27 Tetor, 2026
Energjia në tregun e lirë, ERE përgatit rregulla të reja për krahasimin e çmimeve
Aktuale Analize Kryesore Sociale 27 Tetor, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.