Një mbrëmje e hidhur. Juventusi bie pas penalltive kundër Empolit dhe eliminohet edhe nga Kupa e Italisë, vetëm një javë pas dështimit në Evropë kundër PSV-së. Tani bardhezinjve u mbetet vetëm kampionati, ku gjithçka është ende e hapur (tetë pikë i ndajnë nga Interi kryesues), por përmbysja është gjithçka tjetër veçse e lehtë.
Trajneri Thiago Motta e ka të vështirë ta pranojë këtë eliminim të papritur:
“Ndihem i turpëruar. Bëmë një pjesë të parë për të ardhur keq. Më vjen turp për atë që bëmë në pjesën e parë dhe shpresoj që edhe lojtarët e mi të ndiejnë të njëjtën gjë“.
Më pas, Motta, i errët në fytyrë përpara mikrofonave të Sport Mediaset, mori përgjegjësinë për humbjen:
“Kam gabuar unë që nuk u bëra lojtarëve të mi të kuptojnë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Është vetëm faji ynë që nuk jemi në gjysmëfinale: nuk e meritonim. Shpresoj që kritikat të jenë shumë të forta. Tifozët ishin tepër të sjellshëm me ne për atë që treguam në pjesën e parë. Kam gabuar unë që nuk i bëra futbollistët të kuptojnë se çfarë do të thotë të luash këto ndeshje me fanellën e Juventusit.
Kemi luajtur kundër një Empoli me disa lojtarë rezervë. Në këtë moment duhet të flasim për mentalitetin: fanella e Juves duhet të meritohet çdo ditë. Disa e pretendojnë pa dhënë asgjë. Sot kemi gabuar gjithçka. Asnjëherë nuk kemi marrë përgjegjësinë për gabimet e bëra. E gjithë kjo është e papranueshme. Duhet të kërkojmë falje. Sot kemi prekur fundin.“