E marta e 5 majit riktheu Shqipërinë në tryezën e vlerësimit politik në Bruksel, ku Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET) miratoi raportin e vitit 2025.
Pas më shumë se dy muajsh diskutimesh dhe negociatash në tavolinat e vendimarrjes, drafti i hartuar nga raportuesi i PE Andreas Schieder u miratua me 58 vota pro, përballë 7 kundër dhe 7 abstenimeve, një shumicë dërrmuese, por jo unanime që lë hapësirë për interpretim politik.
Megjithatë, fjala e fundit i takon seancës plenare të Parlamentit Europian, aty ku raporti do të miratohet me votë dhe do marrë peshën e tij të plotë politike.
Deri në atë ditë, sinjalet e dërguara nga Brukseli po interpretohen në kahe të ndryshme në diskursin publik shqiptar të ndarë mes entuziazmit dhe skepticizmit. Njëra palë e konsideron këtë miratim si konfirmim të procesit dhe një hap më shumë drejt objektivit për aderimin në BE në vitin 2027, ndërsa pala tjetër e konsideron përmbajtjen e raportit si një sinjal reflektimi për mangësitë që vijojnë të rëndojnë mbi procesin.
Përtej gjuhës diplomatike, ndër rreshta mesazhi i Draft-Raportit të publikuar më 16 Shkurt është i qartë. Ai vlerëson angazhimin pro-europian të Shqipërisë në procesin e integrimit dhe ritmin e shpejtë të hapjes së kapitujve të negociatave duke e konsideruar objektivin për mbylljen e tyre deri në vitin 2027 si ambicioz, por të arritshëm, por thekson nevojën për të siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit të përafruar, pasi vetëm formalizimi nuk mjafton.
“Besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, jo vetëm nga miratimi formal i legjislacionit” – thuhet në Raport.
Gjithashtu Raporti ndalet te problematikat strukturore të demokracisë funksionale. Sistemi zgjedhor konsiderohet “përgjithësisht i pranueshëm” por i cënuar nga pabarazi në garë, përdorim të burimeve administrative dhe dyshime për blerje votash.
“Vërehet se Komisioni e vlerëson kuadrin zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, ndërkohë që rithekson shqetësimet lidhur me pabarazinë e kushteve në garë, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve” – shkruhet në Raport, teksa i tërheq vëmendjen mazhorancës dhe opozitës për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet shtyllës së sundimit të ligjit ku përtej njohjes së suksesit në reformën në drejtësi dhe procesit të vetingut, gjuha në raport ashpërsohet në një pikë ku Shqipërisë duket se ende “i ngel sharra në gozhdë”: korrupsioni, sidomos në nivele të larta.
“Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta” – shkruhet në raport.
Ndërsa kjo kritikë në mes-Shkurtin e 2026 shkruhej në Raportin Parlamentit Europian situata në Shqipëri ishte nën tension të vazhdueshëm.
Për herë të parë, qeveria shqiptare doli kundër SPAK, pikërisht ndaj institucionit kryesor që i atribuohet suksesi i reformës në drejtësi, i cili kërkonte heqjen e imunitetit të deputetit për ish zv/kryeministren Belinda Balluku.
Kjo nuk e ndali kryeministrin Rama mos ti dilte në mbrojtje Ministres së Infrastrukturës, madje deri me dërgimin e një ankese në Kushtetuese duke sfiduar institucionet e drejtësisë dhe duke penguar masën e arrestit ndaj saj.
Ndërsa opozita shqiptare e konsideron këtë lëvizje si arsyen kryesore të një ngërçi të mundshëm të rrugëtimit drejt Integrimit Europian, raporti shfaq qartazi se korrupsioni mbetet një nga shqetësimet kryesore, me theks të veçantë te nevoja për rezultate konkrete në nivele të larta të pushtetit.
“Parlamenti si një institucion që nuk duhet të përdoret për mburojë politike për mbrojtjen e korrupsionit dhe trajtimi i imunitetit njësoj për të gjithë, pasi ligji është i barabartë për të gjithë. Këto kërkesa besoj që e theksojnë gjithmonë e më shumë faktin që Shqipëria gjendet në udhëkryq.” – deklaroi deputetja Jorida Tabaku në një reagim pas lajmit për miratimin e raportit për Shqipërinë.
Një tjetër dimension kritik i vënë në pah lidhet me lirinë e medias.
“Bën thirrje për përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik, përfshirë transparencë më të madhe mbi konfliktet e mundshme të interesit të pronarëve të mediave, masa mbrojtëse kundër presioneve politike dhe ekonomike ndaj gazetarëve dhe hetim efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj profesionistëve të medias” – shkruhet në Raportin e PE.
Por ndërsa raporti kërkon më shumë garanci për pluralizmin mediatik dhe mbrojtjen e gazetarëve, Shqipëria vijon të humbasë vende në indekset dhe raportet ndërkombëtare duke u renditur ndër vendet problematike.
“Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale duke politizuar organet rregullatore të medias dhe duke emëruar drejtuesit e mediave publike”, thuhet në raportin vjetor të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij (RSF).
Në aspektin ekonomik dhe administrativ, Shqipëria vlerësohet për progres në reforma, por mbetet e ekspozuar ndaj dobësive strukturore si informaliteti, produktiviteti i ulët dhe një klimë biznesi ende e brishtë. Edhe mungesa e progresit në mjedis dhe ndryshimet klimatike theksohet si një nga pikat më problematike të raportit.
“Eurodeputetët vlerësojnë përkushtimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe mbështesin ambicjen tonë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027” – deklaroi në rrjetet sociale kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.
Megithatë, mesazhi i Raportit të AFET tregon qartësisht se rruga drejt Bashkimit Europian është e hapur, por jo e pakushtëzuar. Dhe sa më shumë afron objektivi i vitit 2027, pesha e vlerësimit zhvendoset nga përafrimi i kuadrit ligjor tek mënyra e zbatimit te tyre në praktike.
Marrë nga Shteg.org