“Drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar”. Duket se kjo shprehje po vijon të gjejë vend për fat të keq në Shqipëri, madje edhe më shumë pas përfundimit të procesit të vettingut, që zbrazi gjykatat që ende nuk po plotésohen. Por, edhe harta e re gjyqësore nuk është se ka rezultuar tërësisht funksionale, pasi sidomos në rastin e Apelit të Tiranës e ka çuar situatën në mbingarkesë deri në kolaps.
Analiza tregon se 67% e këtij stoku përbëhet nga çështje civile dhe 33% nga çështje penale, duke konfirmuar dominimin e çështjeve civile në backlog. Kjo lidhet me numrin e lartë të ankimeve në këtë kategori dhe me kompleksitetin më të madh juridik që ato kërkojnë në nivel apeli, ndërsa çështjet penale, megjithëse të shumta në hyrje, trajtohen më shpejt për shkak të afateve procedurale.
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 15,290 çështje të reja, 10% më shumë se në vitin 2024, ose 1,402 çështje shtesë. Nga këto, 60% janë çështje penale, konkretisht 9,122 raste, ndërsa 40% ose 6,168 janë çështje civile. Ky fluks i lartë hyrës ka rritur presionin mbi gjykatën, veçanërisht duke pasur parasysh stokun e lartë ekzistues.
Në total, ngarkesa e përgjithshme e Gjykatës së Apelit për vitin 2025 ka arritur në 56,990 çështje, me një rritje prej 5,440 çështjesh krahasuar me një vit më parë, ose rreth 11-12%. Kjo është një tendencë në rritje për të tretin vit radhazi dhe tregon një mosbalancim të vazhdueshëm mes hyrjeve dhe përfundimeve. Nga kjo ngarkesë, 34,283 çështje ose 60% janë civile dhe 22,707 ose 40% janë penale. Edhe pse çështjet penale dominojnë hyrjet e reja, janë çështjet civile ato që qëndrojnë më gjatë në sistem dhe mbajnë peshën kryesore të stokut.
Një tjetër tregues kyç është norma e likuidimit të çështjeve, e cila nuk ka arritur pragun optimal prej 100% edhe gjatë vitit 2025. Kjo do të thotë se gjykata nuk ka mundur të përfundojë të gjitha çështjet e reja, duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të stokut. Për çështjet civile, norma e likuidimit ka arritur në 76%, nga 64% në vitin 2024, duke shënuar një përmirësim, por ende duke lënë 24 çështje të papërfunduara për çdo 100 të reja. Për çështjet penale, kjo normë ka rënë në 71% nga 76% një vit më parë, kryesisht për shkak të rritjes me rreth 15% të hyrjeve të reja.
Raporti evidenton se pamundësia për të arritur një normë likuidimi 100% lidhet me funksionimin e gjykatës me vetëm 41% të organikës së miratuar dhe me rritjen e ndjeshme të çështjeve të reja, sidomos në fushën penale. Këta faktorë kufizojnë ndjeshëm kapacitetin për të përballuar fluksin.
Në këto kushte, Gjykata e Apelit mbetet hallka më e ndjeshme e sistemit gjyqësor për sa i përket kohëzgjatjes së proceseve dhe stokut të çështjeve.
Marrë nga Ekofin.al