Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet të shpallin të mërkurën aktgjykimin në procesin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantëve të tjerë të lartë të UÇK-së.
Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burg për Thaçin, 58 vjeç, dhe tre ish-komandantët, të cilët akuzohen për një sërë krimesh të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. Të akuzuarit i mohojnë të gjitha akuzat, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e pafajësisë.
Në qytete të ndryshme të Kosovës janë vendosur ekrane të mëdha me numërimin mbrapsht deri në shpalljen e vendimit, i cili në Hagë pritet të nisë në orën 10:00. Të shtunën, mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi dhe tre ish-komandantët akuzohen për përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruar të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës gjatë dhe menjëherë pas luftës. Prokuroria pretendon se më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe persona të perceptuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe janë vrarë gjatë kësaj periudhe.
Avokatët e Thaçit kanë argumentuar se akuzat janë të pabazuara dhe se nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt atë me krimet e pretenduara apo që dëshmojnë se ai kishte kontroll mbi komandantët e tjerë të UÇK-së.
Procesi është ndjekur me vëmendje të madhe në Kosovë, ku Dhomat e Specializuara, të përbëra nga gjyqtarë dhe juristë ndërkombëtarë, mbeten një institucion i kontestuar. Për shkak të frikësimit të dëshmitarëve, një pjesë e dëshmive të prokurorisë janë zhvilluar me dyer të mbyllura, duke shtuar edhe më tej mosbesimin ndaj gjykatës.
Sipas analistëv, vendimi mund të ketë pasoja të rëndësishme politike për Kosovën, veçanërisht në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Një vendim në favor të Thaçit mund të ndikojë në ekuilibrat politikë në Kosovë dhe të forcojë bashkëpunimin me Perëndimin, ndërsa një dënim mund të thellojë distancën e krijuar vitet e fundit.
“Vendimi është një ngjarje tektonike”, tha Agon Maliqi, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Europën të Atlantic Council.
Sipas tij, rezultati mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet ndëretnike brenda Kosovës dhe në raportet me Serbinë. Reagimet ndaj vendimit pritet të jenë të forta, ndërsa ekziston rreziku që aktorë të ndryshëm të përpiqen të shfrytëzojnë situatën për të nxitur tensione.
Thaçi ishte president i Kosovës nga viti 2016 deri në vitin 2020 dhe kryeministër nga viti 2008 deri në vitin 2014. Edhe në rast se shpallet i pafajshëm në çështjen kryesore, ai mund të mos lirohet menjëherë, pasi prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burg ndaj tij në një proces të veçantë për ndërhyrje të dyshuar te dëshmitarët. Thaçi i mohon edhe këto akuza.
Marrë nga Reuters