Nga Roberto Vivaldelli
Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli që kur Sir Anthony Charles Lynton Blair KG, i njohur si Tony Blair, u bë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në maj 1997. Zgjedhja e tij, pas 18 viteve të pandërprera të qeverisjes konservatore, u pa si një frymë e freskët nga klasa punëtore britanike, e cila nuk e kishte tretur kurrë neoliberalizmin e “Zonjës së Hekurt” Margaret Thatcher. Më pas, në frontin ekonomiko-social, i riu Tony Blair përqafoi “rrugën e tretë” dhe i shndërroi laburistët në një parti që ishte më shumë e qendrës sesa e majtë, duke tradhtuar shumë nga premtimet e bëra për të njëjtën klasë punëtore. Pasi u largua nga “Downing Street” në vitin 2007, Blair iu përkushtua aktiviteteve të ndryshme: i dërguar i posaçëm për Kuartetin për Lindjen e Mesme (2007-2015), ai themeloi organizatën e tij “filantropike”, Instituti Tony Blair për Ndryshimet Globale, në vitin 2016, duke u bërë konsulent për qeveri të ndryshme dhe liderë botërorë. (Përfshirë qeverinë e Edi Ramës)
Libri i ri i ish-kryeministrit
Ish-kryeministri, në moshën 71-vjeçare, tani ka vendosur të botojë librin e tij të ri “Udhëheqja”, arti i qeverisjes, vëllimi i parë i botuar nga “Silvio Berlusconi Editore”, shtëpia e re botuese e themeluar nga Marina Berlusconi, presidente e Fininvest dhe Mondadori. Shtypi e vlerëson atë, duke filluar nga “Guardian”, e cila i kushtoi një artikull të gjatë esesë në të cilën jepen këshilla për artin e qeverisjes. Tony Blair reflekton mbi fazat e lidershipit: në të parën, sipas tij, liderët janë të pranueshëm sepse janë të vetëdijshëm për papërvojën e tyre. Në të dytën, ata besojnë se dinë gjithçka, bëhen arrogantë dhe më pak të gatshëm për të dëgjuar, gjë që i bën ata të pambrojtur. Pjekuria, në fazën e tretë, vjen me të kuptuarit se përvoja e tyre nuk është e plotë, duke i shtyrë ata të rizbulojnë përulësinë dhe të mësojnë përsëri. Në Itali, gazeta “La Repubblica”, e cila e përkufizon atë si një “mjeshtër të udhëheqjes” në titullin e saj, kujton se ai është i vetmi anëtar laburist në histori që është zgjedhur në “Downing Street” tre herë radhazi.
I dashur Blair, çfarë mund të na thoni për Irakun?
Deri këtu, shumë mirë. Ose pothuajse. A mund të mësojmë vërtet diçka nga një lider i cili, në vitin 2003, së bashku me presidentin e atëhershëm amerikan Xhorxh W. Bush, promovuan pushtimin e Irakut të Sadam Huseinit në bazë të informacionit të rremë të dhënë në media dhe opinionin publik ? Është mirë të mbani mend disa numra. Sipas disa burimeve, duke përfshirë projektin “Irak Body Count”, numri i viktimave civile irakene vlerësohet mes 150,000 dhe 200,000. Por sipas studimeve të tjera, si ai i revistës “Lancet” dhe burimeve të tjera akademike, numri i përgjithshëm i vdekjeve, duke përfshirë luftëtarët dhe civilët, mund të kalojë një milion.
Ajo luftë, e kërkuar kryesisht nga Bush dhe Blair, shkaktoi gjithashtu një krizë të madhe humanitare, me miliona irakenë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Rreth 4.7 milionë njerëz u zhvendosën brenda vendit ose kërkuan strehim jashtë vendit gjatë dhe pas konfliktit. Për të mos përmendur një aspekt tjetër shumë serioz: destabilizimi i Irakut pas pushtimit të 2003 të anglo-amerikanëve dhe aleatëve krijoi një kontekst të favorshëm për lindjen dhe rritjen e terroristëve të ISIS-Daesh. Rënia e regjimit të Sadam Huseinit çoi në një vakum pushteti, i përkeqësuar nga tensionet sektare midis sunitëve, shiitëve dhe kurdëve, në të cilat u përhap ekstremizmi xhihadist. Me pak fjalë, një fatkeqësi nga çdo këndvështrim.
Raporti që gozhdon ish-kryeministrin
Nuk është çështje mendimi. Ka një raport që gozhdon Tony Blair në përgjegjësitë e tij. Komisioni Chilcot, i njohur zyrtarisht si Hetimi i Irakut, publikoi raportin e tij në vitin 2016 , duke shqyrtuar përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në Luftën e Irakut të vitit 2003, pasi Shtetet e Bashkuara akuzuan Sadam Huseinin se posedonte ato armë të shkatërrimit në masë, të cilat, siç e dimë, nuk ekzistonin. Sa keq që, siç vërtetoi vetë raporti, informacioni i inteligjencës i përdorur për të justifikuar luftën ishte “i pasaktë dhe i pajustifikuar”, diçka që Tony Blair e dinte plotësisht.
Për të mos përmendur mungesën totale të largpamësisë dhe planifikimit: Komisioni në fakt ka kritikuar Blair-in dhe qeverinë e tij se nuk i kanë planifikuar në mënyrë adekuate pasojat e konfliktit, veçanërisht menaxhimin e pasluftës të Irakut, i cili çoi në një periudhë të gjatë destabiliteti, vdekje dhe dhunë. Me pak fjalë, Toni Blair ishte gjithçka tjetër veçse një lider largpamës dhe promovoi një luftë që kushtoi jetën e qindra mijëra njerëzve. Por në Perëndimin e standardeve të dyfishta, edhe një politikan si Tony Blair mund të bëhet një “mjeshtër i lidershipit”. Sido që të jetë, siç këndoi Bob Dylan më 1963, ai është një nga Mjeshtrit e Luftës, një nga shumë kryekomandantët e historisë së fundit.
Marrë nga “Inside Over”